Jo të gjithë sportistët mund të arrijnë majat, dhe shumica dërrmuese e tyre nuk ia dalin sepse nuk kanë parametrat e lindur për ta bërë një gjë të tillë. Prandaj, edhe ata që dalin të dytët apo të tretët, vlen të respektohen po aq shumë sa edhe kampionët, diçka që do të kuptohet e do të jetohet nga brezat e ardhshëm, në një botë që nuk do ta ketë më aq pranë “provincializmin” dhe frikën e opinionit, ndaj edhe nuk do të ketë urinë për lavdi siç është sot. Në këtë kuptim, vlerësimi që Ljuis Hamiltoni i bëri Valteri Botasit, pasi u bë zyrtare që ai do të largohet vitin që vjen nga Mercedesi, duhet kuptuar si një ndjenjë pozitive e kampionit të shtatëfishtë të botës ndaj shokut të ekipit, për njeriun Botas, por edhe për pilotin Botas që dha gjithçka e në mënyrë dinjitoze për të pasur sukses. Kjo nuk i pëlqeu Niko Rosbergut, ish-shokut të ekipit të Hamiltonit, që fitoi titullin botëror në 2016, i fundit që nuk është fituar nga anglezi. “Hamiltoni e vlerëson Botasin sepse ky nuk e mundi kurrë, pra ishte shumë i dobishëm për të”, – ishin fjalët e finlandezo-gjermanit. Dakord, por duket se vetë Rosbergu sikur deshi të binte në sy pas 5 vitesh i larguar nga Formula 1.
Sfidanti.al