Rogliç nderon veten dhe Slloveninë, fiton klasiken më të vjetër të çiklizmit në botë

Në garat e mëdha ka mbetur prapa patriotit të tij të shquar, Pogaçar, kampion dy herë radhazi i Turit të Francës në 2020 e 2021. Gjithsesi, Primozh Rogliç nuk është nga ata që dorëzohen dhe po tregon se çiklizmi në Slloveni nuk është vetëm një emër. Veterani 31-vjeçar ia doli të fitojë klasiken më të vjetër të dyrrotakëshes në nivel botëror, atë Milano-Torino. Itinerari mes dy qyteteve të shquar italianë është 199 km dhe gara ka nisur që nga viti 1876. Asnjë garë tjetër nuk është kaq e vjetër sa kjo. Rogliç pati një duel të fortë me anglezin Sajmën Jejts, por u shkëput në fund dhe fitoi me 4 orë, 17 minuta e 41 sekonda. Kjo ishte e 13-ta etapë e fituar nga slloveni këtë vit që ia ka dalë në Vueltën e Spanjës dhe në Xhiron e Emilias.

Sfidanti.al