Ku shkoi skuadra që asgjë nuk e pengonte në rrugën e saj? Golden Stejt Uorriors, kampione e NBA-së, sërish është në lojë për ta mbrojtur titullin, veçse dyshimet janë të mëdha për mënyrën sesi po shkon plej ofi. Los Anxhelos Klipers luajti me autoritet dhe vullnet, duke u imponuar brenda në Arenën e Oklendit në ndeshjen e pestë. Fitore e miqve, 129-121, dhe ndeshja e gjashtë do të luhet në Los Anxhelos.
Golden Stejti kryeson duelin 3-2 me ndeshje, dhe mbetet favorit për kualifikimin, pasi sfidën e shtatë dhe vendimtare do ta ketë në fushën e saj, por paraqitja e saj nuk po bind. Stefën Kërri thotë me të drejtë se skuadrës së tij i mungon ritmi i lartë gjatë gjithë 48 minutave, diçka që e pati kundërshtari.
Lou Uilliams udhëhoqi Klipersat me 33 pikë, 4 topa në tabela e 10 pasime për kosh. Po ashtu, shumë mirë luajtën edhe Beverli me 17 pikë e 14 topa në tabela, si dhe Danilo Galinari me 26 pikë, apo Harrëll me 24.
Kampionët nuk ishin në standardet e zakonshme sidomos në mbrojtje, por edhe duke gabuar shumë gjuajtje. Nuk mjaftoi një Kevin Durant me të vërtetë fantastik, që vendosi rekordin personal në plej of me 45 pikë. Ai kapi edhe 6 topa në tabela, shërbeu 6 asiste, vodhi dy topa dhe bllokoi një gjuajtje. Stefën Kërri shtoi 24 pikë dhe Klej Tompson 22, veçse Golden Stejti është larg katër sezoneve të fundit, kur arriti pa problem finalet dhe fitoi tre tituj.
Sfidanti.al