Do të jenë 90 000 spektatorë në stadiumin “Uembli” të Londrës për sfidën e madhe të boksit profesionist mes ukrainasit Vladimir Kliçko dhe anglezit Entoni Xhoshua. Kryebashkiaku i kryeqytetit britanik, Sadik Khan, e dha lejen e tij për të bërë zgjerimin e kapacitetit të stadiumit, i cili për ndeshje të tilla normalisht pranon 80 000 spektatorë. Ky ndryshim u bë për shkak se ndeshja ka popullaritet të veçantë, meqë Xhoshua është vendas dhe sepse luan ndaj një boksieri shumë të madh si Vladimir Kliçko, aq më tepër për peshat e rënda.
Përballja do të jetë në 29 prill dhe në diskutim janë titujt botërorë të federatave IBF, IBO dhe WBA. Numri i spektatorëve pritet të barazojë rekordin britanik që është pikërisht 90 000 dhe që është vendosur përpara Luftës së Dytë Botërore, kur Len Harvei dhe Xhok Mekëvoi u ndeshën në 1939 në “Uajt Siti Stejdium” (Stadiumi i Qytetit të Bardhë).