Në Arenë dhe përpara televizorite koha shpenzohet pikërisht për këtë. Uimbëlldoni jo më kot është turneu më i madh i tenisit në botës, dhe e vërtetoi me dy gjysmëfinale të jashtëzakonshme, që erdhën në dy ditë njëra pas tjetrës. Rafael Nadal, rekordmeni i Grand Slemeve me 22 të tillë, pati një nga ndeshjet e tij më të vështira të karrierës përballë amerikanit Tejlër Fric. U desh të kalonin 4 orë e 20 minuta në fushën qendrore për të arritur fitoren 3-2 me sete, me rezultatin 3-6, 7-5, 3-6, 7-5, 7-6. Spanjolli 35-vjeçar pati probleme me dëmtimet, ashtu siç i ndodhi me Fricin edhe më parë këtë vit kur u mund në Indian Uells, por këtë herë ia doli. Fric, numri 14 i botës, pati shërbim të fortë, por Rafa u mbajt deri në fund, me karakterin e fortë dhe ndihmën e stafit mjekësor. A do ta përballojë gjysmëfinalen e madhe ndaj Nik Qiriosit?
“Ishte një ndeshje me shumë emocione dhe një fitore e rëndësishme, – tha spanjolli, – jam i lumtur që ia dola. Isha shumë i lodhur nga mesi i ndeshjes, ishte shumë e vështirë. Isha ndodhur edhe më parë në një situatë të tillë, që nuk është aspak e pëlqyeshme, por nuk kisha ç’të bëja, përveçse të luftoja deri në fund. Nuk di të them sesi do të jem në ndeshjen tjetër, do ta shohim gjendjen fizike”.
Një mrekulli më vete ishte ajo e çerekfinales së Novak Gjokoviçit ndaj italianit Janik Siner, edhe pse kampioni në fuqi i Uimbëlldonit ia doli më lehtë. Sidoqoftë, ndryshe nga Nadali, fituesi i 20 Grand Slemeve u ndodh në humbje të dy seteve. Tenisti serb tregoi gjithashtu karakterin, në një nga ditët më të vështira të karrierës. Gjokoviç ka fituar 3 edicionet e fundit të Uimbëlldonit dhe është sërish favorit.
Sfidanti.al