Plasën dyshimet për baste edhe në Uimbëlldon

E përditshmja gjermane “Di Velt” ka informacione dhe thotë se ia vlen që të jemi të shqetësuar. Edhe turneu kaq fisnik i Uimbëlldonit, ai që besohet të jetë i panjollë, dhe që ka përballuar dy luftërat botërore, mund të jetë i infektuar nga epidemia ngjitëse e basteve. “Di Velt” shkruan se të paktën 2 ndeshje janë të dyshimta këtë sezon, dhe kjo mbi bazën e shumave të vendosura për to. Alarmi ka ardhur nga disa burime, dhe është konfirmuar nga kompanitë mbikqyrëse. Dyshimi është për një ndeshje dyshesh të raundit të parë, ku njëri çift fitoi setin e parë dhe pastaj humbi, ndonëse ishte favorit. Mediat gjermane janë edhe më të shqetësuara sepse ndeshja tjetër kishte brenda edhe tenistë gjermanë. Në fund të setit të dytë, u vendos në bast një shumë me 5 zero (pra mbi 100 000 USD, të themi) për rezultatin e saktë të setit të tretë, po ashtu pati baste të veçanta për maksimumin e shërbimeve. Të dyja bastet u fituan, ndërsa i dyshuar është kundërshtari i gjermanit, ndonëse nuk jepen me emër.

Sfidanti.al