Pesëshja “madhështore” e Euroligës, Donçiç, De Kolo, Veseli…

Nik Kalates (Panathinaikos), Nando de Kolo (CSKA e Moskës), Luka Donçiç (Real i Madridit), Tornike Shengelia (Baskonia) dhe Jan Veseli (Fenerbahçe) përbëjnë pesëshen më të mirë të Euroligës së basketbollit për sezonin 2017/18. Në votimet për zgjedhjen e pesë më të mirëve morën pjesë tifozët dhe gazetarët e akredituar. Reagimet e para tregojnë se kjo pesëshe edhe pritej, duke pasur parasysh arritjet e këtyre pesë basketbollistëve në klubet e tyre gjatë këtij sezoni.

Në krahasim me sezonin e kaluar, në këtë pesëshe u kthye Nando de Kolo, si një autoritet absolut që e udhëhoqi CSKA-n e Moskës drejt turneut të 15-të “Final Four” (Katërshja e fundit) në 16 vitet e fundit! Debutues në ekipin e më të mirëve të këtij sezoni të Euroligës janë Donçiç, Kalates dhe Shengelia. Interesant është fakti se në pesëshen më të mirë të sezonit nuk kishte vend për koshashënuesin më të mirë të konkurrimit evropian më elitar, Aleksei Shved të Himkit të rrethit të Moskës.

Sfidanti.al