Po mendonte që të fitonte me 6 gola diferencë, për të qenë pranë Championsit edhe me golaverazh, pasi kështu mund të kalonin Lacion. Pritej një ndihmë nga Valter Zenga, skuadra e të cilit, Krotone, është kundërshtare e lacialëve në javën e parafundit të Serisë A. Së fundi, pritej që zikaltërit të “fluturonin” nën nxitjen e 70 000 tifozëve në “San Siro”.
Nuk ndodhi asnjëra prej tyre, dhe përfundimi ishte një dështim edhe më i madh sesa katastrofat e mëdha të së kaluarës. Sasuolo fitoi 2-1 në Milano duke prerë thuajse përfundimisht shpresat e Interit për kualifikim në Champions. Golat e Politanos e Berardit ishin më shumë sesa rrjeta e vonshme e Rafinjës dhe tifozët interistë do të jenë të detyruar të kënaqen sërish me kujtimet e kohës së Murinjos.
Përse një klub kaq i madh po kalon nga humbja në humbje, nga dështimi në dështim? Tifozët nuk arrijnë ta kuptojnë, por padyshim është një “sëmundje e brendshme”, dhe kujtohen fjalët e thëna në Shqipëri nga Luçiano Moxhi, kur bëri një karakteristikë për Partizanin. “Partizani më kujton Interin e Moratit”, – ishin fjalët e ish-juventinit.
Në 8 vjet janë ndryshuar kaq shumë trajnerë, dhe padyshim shumë futbollistë. Nga Benitez e Leonardo në 2011, tek Gasperini, Ranieri e Stramaçoni në 2012, pastaj tek Valter Macarri, Roberto Mançini, Frank De Buri, Stefano Pioli, Stefano Veki e tani Luçiano Spaleti. Plot 11 emra për stolin, duke kaluar nga dështimi në dështim.
Suksesi më i madh ishte në 2011, kur ende vazhdonte “vlaga” e fitoreve të Murinjos, dhe u arrit vendi i dytë në Serinë A, fitorja e Kupës së Italisë dhe e Kupës së Botës për klubet. Më pas bjerrje totale.
Në 2012, Interi doli i 6-ti në Serinë A, në 2013 ishte i 9-ti, në 2014 arriti i 5-ti, në 2015 vetëm i 8-ti, në 2016 doli i 4-ti, ndërsa në 2017 vetëm i shtati. Rezultate, natyrisht aspak prej skuadre të madhe. Jo vetëm Juventusi, por edhe Roma, Napoli apo Lacio kanë dalë më mirë sesa lombardët. Duket se “sëmundjen” e Moratit nuk po mundin ta shërojnë dot as pronarët nga Lindja e Largme.
Sfidanti.al