Roberto Mançini do të jetë trajneri i ri i përfaqësueses së Italisë dhe, në këtë drejtim, nuk ka më asnjë dilemë. Ky strateg futbolli me përvojë do të nënshkruajë, këtë të mërkurë, marrëveshjen përkatëse me federatën italiane të futbollit dhe, më pas, do të bëhet edhe promovimi i tij zyrtar. Risia në të gjithë këtë histori është fakti se Mançini do të heqë dorë nga një shumë e madhe parash që të ulet në stolin e drejtimit të përfaqësueses së Italisë.
Sipas burimeve të mirinformuara, ndërpreja e parakohshme e bashkëpunimit me Zenitin e San Peterburgut do të bëjë që trajneri italian të mbesë pa 13 milionë euro që ai do të mund t’i fitonte, po ta çonte deri në fund kontratën e tij me klubin e lartpërmendur rus.
Pritet që Mançini të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare me federatën italiane me opsionin e vazhdimit të saj edhe një vit tjetër, e gjithë kjo për një pagesë prej dy milionë eurosh në sezon. Ai do ta bëjë debutimin e tij, më 28 maj, kundër përfaqësueses së Emirateve të Bashkuara Arabe. Sa për kujtesë, kombëtarja italiane ka mbetur pa trajner, që nga nëntori i vitit të kaluar, kur federata italiane shkarkoi Xhampjero Venturën mbas eliminimit nga Suedia.
Sfidanti.al