Ljuis Hamilton e shkruan emrin e tij mes legjendave të Formula 1. Në Meksikë, pilioti britanik i Mercedes siguroi titullin e tij të katërt duke barazuar Alen Prost por edhe rivalin e tij Sebastian Fetel. Për momentin rekordin e mban Mikael Shumaker me 7tituj për botërorë. 62 gara ka fituar në karrierën etij deri tani britaniku që përforcoi vendin e dytë në klasifikimin e vecantë në Formula1, pas legjendës Shumaker që është ende i paarritshëm në këtë pikë, me 91 gara të fituara.
Megjithatë është një aspekt ku Hamitlon i ka marrë etiketën e më të mirit ish pilotit gjerman, që ka të bëjë me pole positionët e fituar; 72 është ky numër për Hamilton që mund të shkojë edhe 74, ndërkohë që Shumaker është ndalur në 68 pole position. Po kështu Hamilton ka 117 starte të garës nga vija e parë e saj, duke e lënë sërish prapa Shumaker me 116 të tilla.
Ljuis Hamilton e nisi karrierën e tij në Formula 1 në vitin 2007 me Meklaren dhe ishte shumë pranë fitimit të titullit kampion, por në fund ai që arriti të triumfojë ishte Kimi Raikonen me Ferrarin. Britaniku nuk priti shumë për të gjetur triumfin, në 2008 në metrat e fundit të Çmimit të Madh të Interlagos në Brazil ai arriti t’ia rrëmbejë triumfin Masës duke u bërë piloti më ri kampion bote, një rekord që u thye nga Fetel. Për 4 vjet Hamilton nuk u shfaq shumë në pista kjo edhe për shkak se ishte momenti kur në skenë doli Red Bull dhe Sebastian Fetel që dominuan pistat e Formula 1. 2014 dhe 2015 ishin vitet kur Hamilton filloi të shkëlqejë sërish falë edhe Mercedesit që I vuri në dispozicion një makinë praktikisht perfekte. Pasi e humbi titullin në 2016 kundrejt Rosberg për 5 pikë, Hamilton u rikthye në majën e Olimpit të Formula 1 pikërisht këtë vit. Tashmë janë edhe dy gara nga fundi i Botërorit të Formula 1 dhe për Hamilton fitorja e tyre do të jetë mënyra më e mirë për të festuar.
Sfidanti.al