Pesëmbëdhjetëvjeçarja Alina Zagitova ishte e papritura e madhe në disiplinën e patinazhit artistik të Lojrave Olimpike Dimërore që po zhvillohen në Pjongçang të Koresë së Jugut. Ajo i solli medaljen e parë të artë ekipit të vet rus që në këto Lojra merr pjesë nën emërtimin OAR (Olympic Athlets from Russia/Sportistë Olimpikë nga Rusia), për shkak të skandalit të dopingut në Lojrat Olimpike, katër vite më parë, në Soçi të Rusisë.
Ndërsa pritej që medaljen e artë ta fitonte bashkatdhetarja e saj, Jevgenia Medvedjeva (18 vjeçe),Zagitova i entuziazmoi të gjithë të pranishmit dhe gjyqtarët me performancën e saj të shkëlqyer në stilin e lirë, duke grumbulluar 1,31 pikë më shumë se Medvedjeva.
“Mua më duhet pak kohë që ta kuptoj se unë kam fituar në Olimpiadë”, deklaroi Zagitova, duke shtuar: “E dija që më parë, se nuk kishte vend për asnjë gabim. Në fakt, duart më dridheshin, por trupi im e mbante mend se çfarë kishte mësuar në stërvitjet intensive”.
Sifidanti.al