Një ditë më parë, Netsat arritën një fitore të tillë në fushën e Çikagos saqë u duk se zeruan çdo rëndësi të renditjes së NBA-së. Tashmë, ishte radha e Miluokit, kampionit në fuqi, që të tregonte se vërtet renditja mund të jetë e gënjeshtërt dhe se rëndësi do të ketë forma me të cilën do të arrijnë ekipet në plej of. Fitorja ishte shumë e madhe ndaj Golden Stejtit, ekipit të dytë më të mirë të NBA-së, 118-99, madje ishte më e madhe sesa e tregojnë shifrat. Kampionët kryesuan 77-38 në pushim të ndeshjes, dhe gjithçka përfundoi aty. Janis Adetokumbo pati tripëll dabëll me 30 pikë, 12 topa në tabela e 11 asistë, ndërsa trajneri Budenholzer u kthye në stol pas Kovidit, ndërsa humbi 4 ndeshje. Midëlton shtoi 23 pikë, Portis 20 dhe Alen 15 për Baksat të cilët sërish nuk patën Holidein dhe Bruk Lopezin. Stef Kërri (12 pikë) dhe Klej Tompson (11) nuk u ngjitën dot në lartësinë e detyrës për ish-kampionët. Miluoki është në vend të 4-ët në Lindje me 27 fitore e 17 humbje, ndërsa Golden Stejti i dyti në Perëndim me 30 fitore e 11 humbje.
Sfidanti.al