Pak yje në parket, dhe pak tifozë në Arenë, NBA në kohë Kovidi!

Golden Stejt Uorriorsat, më të mirët e sezonit deri tani, kishin në program ndeshjen në fushën e Torontos, por kur u paraqitën atje nuk ishin skuadra që kishte qenë. Epidemia e Kovidit, masat kufizuese dhe dëmtimet e morën “haraçin” dhe trajneri Stiv Kerr nuk mundi të kishte në dispozicion Stefën Kërrin, Drejmond Grinin, Klej Tompsonin, Xhordan Pulin, Oto Porterin dhe Xhejms Uajsmenin. Do të thotë gjysma e ekipit, madje ata më kryesorët. Edhe Toronto kishte mungesa si Siakam, Dragiç apo Xhonson, por më pak.

Arena që priti ndeshjen, po ashtu ishte gjysmë e zbrazur sepse një ditë para ndeshjes autoritetet vendore kanadeze kishin vendosur rreptësimin e masave kufizuese për koronavirusin, duke lejuar vetëm 50 për qind të kapacitetit, pra rreth 10 000 vetë. Në këtë klimë gjysmësportive, Toronto fitoi 119-100, falë Fred Vanvlitit që shënoi 27 pikë dhe pati 12 topa në tabela, si dhe 21 pikëve të Skoti Barnsit. Për Golden Stejtin, më i miri ishte Xhonatan Kuminga, një debutues 19-vjeçar Republika Demokratike e Kongos, që shënoi 26 pikë. Edhe skuadra të tjera patën mungesa si Miluoki apo Bruklini, dhe po ashtu humbën, përkatësisht ndaj Klivlendit (90-119) e Orlandos (93-100).

Sfidanti.al