Orlando Koja, një trajner kampion në Amerikë shkon tek Skënderbeu!

Nuk mund ta imagjinojë veten larg këtij sporti. Orlando Koja, i rikthyer në Shqipëri, pas shumë e shumë viteve, gjendet më shumë në pallatet e sportit sesa në shtëpinë e tij, dhe sezonin që vjen pritet të nisë një aventurë të re në vendin. Djali i legjendës Vangjel Koja, do të drejtojë Skënderbeun në volejboll për femra, kampion i vendit, ndërsa fillimisht prezanton veten si trajner i elitës në Itali dhe si fitues medaljesh në nivel kombëtar në SHBA. “Kam punuar në Itali për shumë vite dhe nga B2 arrita në A1, duke e mbyllur ciklin, – thotë Landi, – shkova në SHBA për të ndjekur djemtë e mi që merreshin me volejboll. U bëra trajner në ekipin Forca 1 Volej në Kaliforni duke dalë në vend të dytë në nivel kombëtar. Një herë tjetër dolëm në vend të tretë. Imagjinoni, vetëm në Kaliforninë e Jugut ka 500 ekipe, jo më të flasim për gjithë Amerikën”.

Cili është projekti i Orlando Kojës tek Skënderbeu? “Kisha nevojë për një projekt 360 gradë, – thotë ai, – tek Skënderbeu do të merremi jo vetëm me ekipin e parë, por me gjithë sistemin, duke filluar nga shkollat. Jam i bindur se shumë shpejt Korça do të jetë kryeqyteti i volejbollit shqiptar”. Pavarësisht një gjallërimi vitet e fundit, volejbolli shqiptar duhet të bëjë shumë për t’u kthyer tek tradita e viteve 80-të.

Sfidanti.al