Oh, jo Kliçko! S’ka duel për titull me ukrainasin e dëmtuar!

Një natë e madhe e boksit profesionist nuk do të vijë për shumë kohë. Kampioni i madh Vladimir Kliçko pësoi dëmtim në stërvitje dhe e vendosi krahun “në akull”. Zhgënjimi më i madh pas lajmit nga Kievi ndihet në Britaninë e Madhe, saktësisht në Londër.

Anglezët shpresonin që boksieri i tyre, Entoni Xhoshua do ta kishte një mundësi për ta sfiduar “Vladimirin e Madh”, kampionin e fundit nga Ukraina pas tërheqjes nga sporti të vëllait të tij, Vitali, tashmë kryebashkiak i kryeqytetit.

Xhoshua tashmë është përqëndruar në ndeshjen e planifikuar për në 10 dhjetor në Mançester, përballje që mund të ishte anuluar nëse do të ishte rënë dakord me “Big Vlad”. Menaxheri i boksierit, Edi Hërn, u shpreh për mediat se do të përpiqet të rregullojë një sfidë me ukrainasin në mars ose prill të vitit të ardhshëm.

Kliçko është 40 vjeç, por nuk ka aspak ndërmend që të largohet nga ringu. Duket se mosha nuk ndikon tek njëri nga boksierët më të mirë të botës në histori, që më herët mbante njëkohësisht kurorën e kampionit të botës në federatat WBA, IBF dhe WBO, ndërsa aktualisht ka brezin e artë në IBO.

B.Kuka