Kryesuan deri në 13 pikë, por as kjo nuk ishte e mjaftueshme për të siguruar fitoren, ndonëse po luanin në shtëpi. Los Anxhelos Lejkërsat kanë probleme të mëdha këtë sezon sepse ndaj Sakramento Kingsave pësuan humbjen e gjashtë në 9 ndeshjet e fundit në NBA. Bilanci total i sezonit është 10 fitore e 11 humbje, aspak e një ekipi që pretendon titullin. Këtë herë u deshën 3 kohë shtesë për të përcaktuar fituesin në “Stejpëll Sentër” dhe sfida përfundoi 141-137 për miqtë.
Lebron Xhejmsi shënoi 30 pikë, kapi 7 topa në tabela e shërbeu 11 asistë ndërsa ishte në fushë për gati 50 minuta nga 63 gjithsej. Uestbruk shënoi 29 pikë dhe pati një tripëll dabëll me 10 topa në tabela e 11 asistë, ndërsa Entoni Dejvis realizoi 23 pikë me 8 topa në tabela, 4 asistë, 3 vjedhje topi e 4 bllokime gjuajtjesh. Këto shifra janë me “inflacion” sepse u luajtën 15 minuta më shumë sesa 48 të zakonshmet. DeAron Foks udhëhoqi Kingsat me 34 pikë, Hield shtoi 25, e Halibërton 19. Lejkërsat janë në vendin e 7-të në Perëndim ku kryeson Golden Stejti me 17 fitore e 2 humbje, ndërsa Feniksi ka 16 fitore e 3 humbje. Sakramento është e 12-ta po në Perëndim.
Sfidanti.al