Nuk ishte sërish viti i duhur, dhe nuk mund të jetë kurrë nëse skuadra nuk e ka “thellësinë” që duhet. Me Xhamal Marrejn të dëmtuar, Nikola Jokiç nuk kishte një “krah të djathtë”, siç dikur Majkëll Xhordani pati Skoti Pipenin apo Lebron Xhejmsi pati Duejn Uejdin apo Kajri Irvingun. Denveri u eliminua që në raundin e parë të plej ofit në NBA, dhe në gjysmëfinalen e Perëndimit shkoi Golden Stejti. “Njeriu i madh” shënoi 30 pikë dhe iu afrua një tripëll dabëlli me 19 topa në tabela e 8 asistë në vetëm 32 minuta, ndërsa mund të kishte bërë më shumë nëse nuk do të ishte dëmtuar. Në fund, Uorriorsat fituan 102-98 në fushën e tyre dhe vulosën kualifikimin me 4 fitore e 1 humbje. Stef Kërri shënoi po 30 pikë për vendasit, Tompson 15 pikë e 9 topa në tabela dhe Drejmond Grini 11 pikë e 6 asistë. Geri Pejton erdhi nga stoli për 15 pikë. Pas eliminimit, Jokiçi deklaroi se do të shkonte të kalonte kohë me familjen, diçka që nuk kishte pasur mundësi ta bënte gjatë sezonit. Po ashtu, shpreson që klubi të marrë përforcime për të synuar titullin vitin tjetër.
Sfidanti.al