E ardhmja e Jamal Musialës te Bayerni po rikthehet në qendër të diskutimeve, pas zbulimit se kontrata e mesfushorit gjerman përmban një klauzolë largimi që mund të aktivizohet nga vera e vitit 2027.
Pavarësisht se rreth një vit e gjysmë më parë rinovoi kontratën me klubin bavarez deri në vitin 2030, sipas raportimit të “Sky Sport DE”, në marrëveshjen e tij është përfshirë një klauzolë që i lejon largimin në kushte të caktuara pas përfundimit të sezonit 2026/27. Shuma e saj nuk është bërë e ditur, por lajmi ka mjaftuar për të nxitur spekulimet rreth së ardhmes së 23-vjeçarit.
Ai nuk është rasti i vetëm në skuadrën e Bayern Munich që ka një klauzolë të tillë në kontratë. Edhe mbrojtësi francez Dayot Upamecano ka një dispozitë të ngjashme, e cila mund të aktivizohet në vitin 2027. Në rastin e tij, shifra raportohet të jetë rreth 65 milionë euro.
Ndërkohë, situata e Musialës është diskutuar edhe në nivelin drejtues të klubit bavarez. Sipas raportimit, në bordin mbikëqyrës janë ngritur pikëpyetje për raportin mes pagës së tij dhe kontributit në fushë. Me një paketë financiare që arrin rreth 25 milionë euro bruto në sezon, përfshirë bonuset, gjermani është ndër futbollistët më të paguar të skuadrës.
Megjithatë, muajt e fundit kanë qenë të vështirë për të, për shkak të problemeve të përsëritura fizike. Përveç dëmtimit të fundit muskulor, ai ka pasur edhe episode të mëparshme shëndetësore që e kanë detyruar të qëndrojë jashtë fushave.
Pavarësisht këtyre diskutimeve dhe ekzistencës së klauzolës së largimit, aktualisht nuk ka sinjale konkrete se Musiala po përgatitet të largohet nga Bayerni. Kontrata e tij mbetet e vlefshme deri në vitin 2030.

