Një drekë e mamasë bëri që Lebroni të shënonte 46 në Klivlend!

U bënë dy vjet që është larguar dhe kjo ishte vetëm vizita e dytë. Lebron Xhejmsi nuk mund të jetë shpesh në qytetin e tij të dashur, Klivlendin, për më tepër nga pandemia e koronavirusit që anuloi ndeshjen e vjetshme, por ai e ktheu në forcë mallin e madh që e kishte marrë. “Pata një drekë të gatuar nga mamaja ime, – tha ylli i Lejkërsave para ndeshjes, – është gjithnjë bukur të jesh në shtëpi, në parajsën time”.

Rreth 2 000 tifozët në Arenë (nga 18 000 kapacitet) e pritën shumë mirë heroin e tyre të dikurshëm, mjaft prej të cilëve me fanela të Lejkërsave me numrin 23, ndërsa Xhejmsi luajti si profesionist. Shënoi 46 pikë, shifra më e lartë e sezonit për të dhe një nga më të lartat në karrierë, duke treguar se mbetet “Mbret” edhe në moshën 36-vjeçare. Sidomos shkëlqeu në periodën e katërt me 21 pikë, dhe përqindja e realizimit ishte shumë e mirë, 73 për qind në total nga loja dhe 64 për qind për tri pikë. Tashmë, Lejkërsat kanë bilancin 10-0 jashtë fushe, duke luftuar për kreun e Konferencës Perëndimore me “kushërinjtë” e Klipersave.

Sfidanti.al