Si shpesh, është një gazetar me emrin Raimund Hinko, që shkruan opinione në “Sport Bild” dhe këtë herë ai guxoi të shkruante se Bajerni mund të mos dilte kampion i Gjermanisë vetëm nëse Tomas Myleri hiqej nga skuadra. Pavarësisht kontributit të madh të Manuel Nojerit apo Robert Levandovskit, po ashtu të kapitenit të ardhshëm Xhoshua Kimih, sërish Myleri vlerësohet si njeriu-kyç, si ai që vrapon nga 11 km në ndeshje pavarësisht moshës, që bën gjëra që nuk mund të priten prej tij dhe që motivon skuadrën. Ai jep asiste, por edhe shënon ndonjëherë, nuk ankohet kurrë edhe kur është dëborë e acar siç ndodhi në ndeshjen ndaj Shalkes. Hinko kujton se 12 vjet më parë, i madhi Gerd Myleri i kishte bërë parashikimin, në dialektin e tij svabian-bavarez, se “ky djalë (Tomas Myleri) do të bëhet i madh”. Hinko e pëlqen edhe më shumë Mylerin sepse ai është tepër normal si njeri dhe lojtar, jo një makineri e kurdisur nga e shoqja si Levandovski, të cilit i kontrollohet çdo gram ushqimi, dhe çdo hap që hedh në jetë. Tomas Myleri pëlqehet se është bavarezi origjinal! Kështu duan t’i fitojnë titujt në Mynih.
Sfidanti.al