Nju Ingland do të luajë sërish në finalen e Superboulit në National Football League dhe këtë do ta bëjë për të tretin vit radhazi. Në 3 shkurt në Atlanta ku do të zhvillohet edhe kjo finale e Superboul, Nju Ingland do të përballet me Los Anxheles Rems me kalifornianët që kthehen të luajnë një ndeshje të tillë pas 17 vitesh. Ai që e përjeton në mënyrë të vecantë këtë finale është pikërisht Tom Bredi. Për kuotërbekun e Patriots, që tashmë është 41 vjec, ajo e këtij viti do të jetë hera e 9 në karrierë që do të luajë një finale Super Boul që përbën edhe një rekord për të. Por si arritën këto dy skuadra deri në këtë fazë të rëndësishme të sezonit në NFL?
Nju Inglend mundi Kansas Sitin në sfidën e saj 37-31, një sfidë që u zgjidh vetëm pas kohës shtesë. Patriots u duk se e kishte ndeshjen në kontroll teksa në pjesën e parë mori kryesimin në 14-0. Por Kansas reagoi pas pushimit të ndeshjes teksa mundi të barazojë shifrat në 31-31 dhe të cojë ndeshjen në kohën shtesë, ku Patriots arriti të marrë më të mirën falë Bredit, por edhe Bërkhed që shënoi pikët vendimtare të skuadrës së tij.
Edhe ndeshja tjetër mes Los Anxheles Rems dhe Nju Orlins Seints u zgjidh pas kohës shtesë, por kjo përballje shënoi edhe një episod që do të diskutohet shumë në ambientet e futbollit amerikan. 26-23 ishte rezultati përfundimtar i sfidës në favor të skuadrës kaliforniane që gjatë sfidës e pa veten edhe në disavantazhin 0-13 në rezultat. Gjithses skuadra kaliforniane arriti që me kalimin e minutave të barazojë rezultatin në 20-20 kur kishin mbetur 5 minuta nga fundi i ndeshjes. Pikërisht në këtë moment u vu re një episod shumë i diskutueshëm pasi arbitrat nuk vunë re një bllokim të parregullt të Robi-Kolman kundrejt marrësit të Nju Orlinsit kështu që Seints fitoi vetëm një gjuajtje me vlerën e 3 pikëve. Pas kësaj u pa një paraqitje e fantastike e Greg Zuerling që arriti t’i japë këtë fitore të rëndësishme skuadrës së Los Anxheles Rems.
sfidanti.al