Në finale – Kanadaja dhe Suedia do të përplasin shtizat në akull

Kanadaja dhe Suedia “do të përplasin shtizat” në ndeshjen finale të kampionatit botëror të hokeit mbi akull, të zhvilluar në Gjermani dhe Francë. Në ndeshjet gjysmëfinale, kanadezët dhe suedezët shënuan nga katër gola në portat e rusëve dhe të finlandezëve, duke siguruar, kështu, pjesëmarrjen në finale që do të luhet në Këln. Kanadaja, mbrojtëse e titullit, fitoi 4-2 ndaj Rusisë, duke e përmbysur rezultatin në pjesën e fundit, atë të tretë, kur edhe i shënoi të katër golat. Kurse “beteja skandinave” mes Suedisë dhe Finlandës u dominua nga “vikingët” që i mposhtën 4-1 finlandezët. Për Suedinë, finalja do të jetë një mundësi që ajo të arrijë deri medalja e artë, të cilën ajo nuk e ka fiuar që nga viti 2013, ndërkohë që Kanadaja do të synojë që ta fitojë kurrorën e kampiones botërore, për herë të tretë radhazi, pasi e ka fituar atë, më 2015 dhe 2016.

Sfidanti.al