Ndeshja e dhjetëvjeçarit: I biri Arkanit kundër Petrit Mazrekajt!

Boksieri serb, Velko Razhnjatoviç, i biri i Arkanit që ka qenë komandant i forcave paraushtarake famëkeqe “Tgirat” që kanë kryer krime gjatë kohës së luftës në Bosnjë dhe Kosovë, dhe i këngëtares së njohur serbe të muzikës turbo-folk, Ceca, thotë se ai është gati të ndeshet me boksierin shqiptar nga Kosova, Petrit Mazrekaj.

Këtë ndeshje, në fakt, e ka kërkuar Razhnjatoviçi, ndërkohë që bisedimet janë në zhvillim e sipër. Boksieri serb insiston që ndeshja të zhvillohet në Beograd. Boksieri kosovar që konsideron se ndeshja në kryeqytetin serb nuk ka siguri për të, sikurse thuhet, është beniamin i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Mazrekaj në 17 ndeshje, si boksier profesionist, ka 17 fitore, nga të cilat 13 me nokaute. Ai e ka paralajmëruar Razhnjatoviçin se do ta nokautojë që në raundin e parë.

“Kam mendimin se ajo që u ka ndodhur bashkatdhetarëve të tij, atij do t’i ndodhë në raundin e parë. Ndoshta, edhe në të dytin. Sidoqoftë, unë kam mendimin se për mua nuk do të ketë siguri që të ndeshem në Serbi, duke qenë se unë i kam mundur të gjithë serbët, me të cilët jam ndeshur”, deklaroi boksieri shqiptar nga Kosova.

Në të kaluarën, Mazrekaj është ndeshur tre herë me boksierë serbë, të cilët që të tre i ka mundur me nokaut.

Sfidanti.al