NBA, Miluoki dhe Antetokumbo në finalen e Lindjes, Bruklinit nuk i mjafton Duranti!

Dikur ka qenë skuadër e madhe, dhe dëshiron të jetë sërish e tillë. Miluoki Baks më në fund arriti finalen e Konferencës Lindore në basketbollin amerikan, ndërsa kaloi një pengesë tepër të vështirë si Bruklin Nets. Për më tepër, këtë e bëri në fushën e rivalit të madh, në Nju Jork, me shifrat 115-111 pas kohës shtesë. Janis Antetokumbo, lojtari më i mirë i sezonit të rregullt në NBA në dy sezonet e kaluara, e tregoi veten sërish në kohën e duhur, por gjithashtu shokët e ndihmuan në momentin kyç. Antetokumbo shënoi 40 pikë e kapi 13 topa në tabela, veçse për Miluokin shkëlqyen edhe Midëlton me 23 pikë, Lopez me 19, si dhe Holidei e Taker. Miqtë luajtën me vetëm 8 basketbollistë për 53 minuta, por vendimi i trajnerit të tyre doli me sukses.

Bruklini kishte tepër shpresë dhe Kevin Duranti nuk zhgënjeu. Superylli me numrin 7 shënoi 48 pikë, në një nga ndeshjet më të mira të karrierës, duke shtuar edhe 9 topa në tabela e 6 asistë, por ai nuk mjaftoi. Xhejms Harden për fat të keq nuk ishte në maksimum, kjo për shkak dëmtimi, duke shënuar 22 pikë e duke gabuar shumë në gjuajtje. Për ekipin favorit ndikoi shumë mungesa e yllit tjetër të dëmtuar, Kajri Irving.

Tashmë, Miluoki mund të pretendojë titullin e dytë në NBA pas atij të vitit 1971 arritur me Lju Alsindorin, që më pas u njoh si Karim Abdul Xhabar. Me Janis Antetokumbon ka gjetur pasardhësin e duhur, dhe pas dy titujve në Konferenca e 16 në Divizion, Miluoki ka shpresa të mëdha.

Sfidanti.al