NBA, fitojnë Golden Stejti dhe Nju Jorku!

Golden Steit dhe Nju Jork Niks rihapin garën në gjysmëfinalet e NBA. Kampionët në fuqi të basketbollit amerikan fituan 121-106 sfidën e pestë kundër Los Anxheles Lejkërs, duke ngushtuar në 3-2 rezultatin e serisë. Edhe një herë, heroi i Uorriors ishte Stefën Kerri. Ylli i Golden Steit bëri një tjetër paraqitje të shkëlqyer, duke mbyllur ndeshjen me 28 pikë dhe 8 asist. Nuk zhgënjyen as Uigins me 25 pikë dhe Dejmond Grin me dy shifra dopjo, 20 pikë dhe 10 topa të kapur në tabelë.  Nga ana tjetër, me 25 pikë, 9 topa në tabelë dhe 3 asist, LeBron Xhejms nuk arriti të evitojë disfatën e Lejkërs, që në fund të ndeshjes kaluan edhe moment frike pas goditjes së fortë që mori Entoni Devis, i detyruar të lerë parketin me karrige me rrota. Por asgjë serioze për qendrën e skuadrës kaliforniane, gati për ndeshjen e gjashtë.

Një fitore të rëndësishme që e mban në lojë siguroi edhe Nju Jork Niks, që kaluan Majemin 112-103 për të ngushtuar në 3-2 serinë e përgjithshme. Me 38 pikë të realizuara protagonist absolut në fitoren e njujorkezëve ishte Xhalen Branson, që gjithashtu iu afruar tre shifrave dopjo me 9 topa në tabelë dhe 7 asist. Në një mbrëmje të keqe ishte Xhimi Batler, pasi ylli i Majemit realizoi vetëm 12 gjuatje, duke e mbyllur ndeshjen me 19 pikë. Në ndeshjen e gjashtë gjysmëfinale, Majemi kthehet të luajë në fushën e tij për të pretenduar “match point” që do ta dërgonte në finalen e Konferencës.

Sfidanti.al