NBA, Denver merr kryesimin falë mjeshtrit Nikola Jokiç!

U desh një paraqitje e madhe për t’ia dalë. Denver Nagets reagoi fort pas disfatës në shtëpi ndaj Majemit, dhe luajti një ndeshje të shkëlqyer në Floridë për të marrë sërish kryesimin në serinë finale për titull në NBA. Suksesi ishte 109-94, në një sfidë të dominuar thuajse plotësisht nga miqtë, dhe ku Nikola Jokiç pati sërish një mbrëmje historike. Basketbollisti nga Serbia jo vetëm realizoi një tjetër tripëll dabëll, por edhe vendosi një rekord, diçka e veçantë në një ligë të tillë ku kanë luajtur legjenda të mëdha. Ai u bë i pari lojtar në historinë e basketbollit amerikan që realizon në një ndeshje të Finaleve të paktën 30 pikë, të paktën 20 topa në tabela dhe të paktën 10 asistë.

Jokiç e mbylli me 32 pikë, 21 topa në tabela dhe 10 asistë. Gjithsesi, fitorja nuk besohet se do të ishte arritur pa kontributin e të tjerëve. Xhamal Marrej gjithashtu pati tripëll dabëll me 34 pikë, 10 topa në tabela e 10 asistë. Gjithashtu, kjo dyshe vendosi një rekord duke u bërë e para në finale që realizon së bashku tripëll dabëll me të paktën 30 pikë. Një meritë të veçantë e pati debutuesi Kristian Braun që arriti rekordin e karrierës me 15 pikë. Skuadra nga Kolorado kryeson 2-1 me fitore, ndërsa ndeshja e katërt luhet sërish në fushën e Majemit.

Sfidanti.al