Janë dy nga yjet e rinj dhe nga më të shkëlqyerit sot për sot në basketbollin amerikan. Xhejzën Tatëm është vendas, pra amerikan, është 24 vjeç dhe ka shtatlartësi 2.03 metras. Luka Donçiç vjen nga Europa, është slloven, 23 vjeç dhe 2.01 metra i gjatë. Të dy “gjelat” patën një përballje të madhe në Arenën e Bostonit, ku vendasit fituan ndaj Dallasit dhe Tatëm mund të thuhet se e fitoi duelin e minutave të fundit me Donçiçin. Tatëm shënoi me zhytje në kosh, dhe pastaj fitoi një gabim personal në mbrojtje ndaj sllovenit, më pas Donçiç shkaktoi faull ndaj Tatëmit që ishte në sulm dhe realizoi gjuajtjet e lira dhe në fund, Tatëm bllokoi një gjuajtje të rivalit.
Donçiç shënoi 42 pikë dhe iu afrua një tripëll dabëlli me 8 topa në tabela e 9 asistë, por edhe e humbi 5 herë topin dhe shkaktoi 4 gabime personale. Ai gjuajti mirë nga loja, por jo edhe aq për tri pikë. Tatëm nuk është se mbeti shumë prapa, përkundrazi. Ai realizoi 37 pikë, ndërsa luajti nja 2 minua më pak sesa slloveni, dhe shtoi 13 topa në tabela e 5 asistë duke bërë edhe 2 bllokime gjuajtjesh, ndonëse ishte më pak i saktë sesa rivali. Bostoni fitoi 125-112 duke merituar gjithçka dhe jo më kot është skuadra më e mirë e NBA-së deri tani me 14 fitore e 4 humbje në Lindje. Dallasi ka 9 fitore e 8 humbje në Perëndim. Donçiç mbetet shënuesi më i mirë dhe lojtari më i mirë i sezonit.
Sfidanti.al