Mrekullia e Eurobasketit, Sllovenia, është krijuar nga një “magjistar” serb!

Në historinë e basketbollit europian superfuqitë kanë qenë Bashkimi Sovjetik, Jugosllavia, Spanja, Italia, Serbia, Kroacia apo Rusia, por kurrë një vend i vogël ballkanik ish-jugosllav. Sllovenia, “vogëlushja” e koshit ka arritur maksimumin vendin e pestë pak vjet më parë, veçse këtë herë duket se e ka më seriozisht. Natyrisht, përbërja është e mrekullueshme me kapitenin që vjen nga NBA, Goran Dragiç, me talentin e ri të Realit të Madridit, Luka Donçiç, dhe me amerikanin e natyralizuar që luan po për Realin, Entoni Randolf.

Gjithsesi, fuqia sllovene nuk përfundon këtu, përkundrazi. Çdo skuadër e mirë ka në stol një trajner të mirë, një trajner që mund ta bëjë të madhe. Sllovenia ka një të tillë që nuk ka luajtur kurrë basketboll seriozisht, asnjëherë si profesionist. Ky është nga Beogradi dhe quhet Igor Kokoshkov. Vetëm 45 vjeç, por ka një karrierë të rrallë, edhe më të rrallë sesa ajo e ish-trajnerit të Partizanit të Beogradit, Dushko Vujosheviç, që nisi profesionin në moshën 22-vjeçare.

Kur ishte 21 vjeç drejtoi ekipin e të rinjve OKK Beograd, në moshën 23 vjeç u bë ndihmëstrajner i ekipit të parë të OKK-së, ndërsa 24 vjeç u bë trajner i parë. Në moshën 25 erdhi “gradimi”, pasi u bë trajner i ekipit të të rinjve të klubit numër 1 të Serbisë, Partizan. Shumë shpejt pati fat që të binte në sy të amerikanëve dhe në 1999 u bë ndihmëstrajner në Universitetin e Misurit në kampionatin e kolegjeve në SHBA.

Që nga viti 2000, pra 29 vjeç, filloi aventurën e madhe në NBA, duke qenë gjithnjë ndihmës, fillimisht tek Los Anxhelos Klipers, pastaj me radhë Detroit Pistons, Feniks Sans, Klivlend Kavaliers, Orlando Mexhik dhe Juta Xhaz. Në 6 dhjetor të vitit të kaluar u bë i pari trajner europian që drejtoi një ekip të NBA-së në ndeshje, në vend të trajnerit të parë, Kuin Snajderit, që ishte i sëmurë. Xhaz fitoi 107-101 ndaj legjendës Los Anxhelos Lejkërs, madje brenda në Arenën kaliforniane “Stejpëlls Sentër”.

Ky është njeriu që po udhëheq Slloveninë dhe që ka drejtuar edhe kombëtaren e Serbisë e Malit të Zi (ndihmës) si dhe të Gjeorgjisë. Sllovenët arritën 5 fitore në 5 ndeshje në grupin A, madje duke mposhtur thellë në përballjen e fundit vetë Francën me shifrat e thella, 95-78.

Sfidanti.al