Moto GP, Rosi: Nuk dorëzohem, por Jamaha nuk po më ndihmon!

Një kampion i madh nuk mund të rrijë kurrë me gojën mbyllur dhe madje, edhe të kritikojë skuadrën. Ndodh sidomos në sportet individuale dhe nga ky rregull nuk bën përjashtim Valentino Rosi, kampioni i madh i motoçiklizmit. Italiani, 9 herë kampion i botës, u shpreh i pakënaqur me markën e madhe japoneze të motorëve, Jamahën, pasi nuk mundi ta fitonte titullin këtë vit. “Jamaha ka punuar fort, – tha Rosi, – por nuk mundi ta përmirësonte motorin siç bënë skuadrat e tjera. Japonezëve nuk u pëlqen kur u digjet motori, por kjo i ndodhi edhe Lorencos, edhe mua”.
I mbiquajturi “Doktori” mbetet ambicioz, por paralajmëron skuadrën se këtë vit është lënë prapa nga rivalët. “Vitet e tjerë kemi ecur më mirë, ndërsa këtë herë kemi mbetur prapa”, – ishin fjalët e tij. Rosi, 37-vjeçar, dëshiron të mos tërhiqet nga ky sport pa fituar edhe titullin e 10-të, ndërsa në klasin maksimal, Moto GP ai ka 7 triumfe. Pas rrëzimit në Japoni, shpreson të shkëlqejë në Australi, në Çmimin e Madh të radhës. “Duhet të jemi të përqëndruar dhe të përfundojmë garën për të mbrojtur vendin e dytë në renditjen e botërorit, – u shpreh veterani, – duhet të jemi në podium, edhe pse do të jetë shumë e vështirë në një nga pistat më të bukura në botës, e cila bëhet shumë e rrezikshme kur bie shi dhe është ftohtë”.
Botërorin e fitoi spanjolli Mark Markez, për të tretën herë në karrierë, duke qenë i pari që arrin në këtë nivel në moshën 23-vjeçare. A thua, Markez do të arrijë të lerë pas legjendat si vetë Rosi, Agostini apo Duhan?

B.Kuka