Tani ka Berisha me shumicë në futboll, kurse disa dekada më parë, ka patur vetëm një Berishë. Edhe pse nuk ishte sulmues, ishte po aq i famshëm sa ata. Safet Berisha, një futbollist elegant dhe tepër virtuoz për kohën,që për fatin e keq të brezit të sotëm, njihet më shumë nga rrëfenjat futbollistike, sesa nga filmimet apo dokumentarët. Një brez i tërë, plot talent dhe përkushtim, një brez me të cilin argetoheshe shpirterisht.
Safet Berisha, ose “dogana e kuqe”, siç pagëzohej për shkak të zotësisë së tij për të fituar një betejë pa kompromis me sulmues të talentuar nga të katër anët e Shqipërisë. Atëhere, fara e sulmit ishte mbjellë kudo, në çdo ekip, kurse në kohën e tanishme, sulmuesit i blejmë më shumicë nga jashtë. Le të dëgjojmë një frazë të Safet Berishës, që ka lënë si pusullë trashëgimie në një intervistë: “ E kam lënë futbollin në një moment të bukur të karrierës..31 vjeç. Për shkak të rrymave të ndryshme dhe historive të pakëndshme. E dini se çfarë më ka thënë i ndjeri Medin Zhega? U mërzit populli me fytyrën tënde”.
Një batutë e Zhegës, që dinë ta deshifrojnë vetëm futbollistët e atij brezi, që shkëlqyen në fushë me topin, i dhanë jetë miqësive të bukura sportive, kurse jeta nuk erdhi siç e meritonin.. për secilin. Populli I futbollit, ata që deheshin me lojë të freskët, kanë shumë arsye për të kujtuar një njeri dhe një sportist si Safeti.