Kur diku thuhet “mos u mërzisni”, do të thotë se shqetësimi ka nisur të ndihet. Ai që i ka thënë këto fjalë është brenda Mercedesit, dhe është vetë shefi i skuadrës, Toto Volf. Shqetësimi dhe thirrja për qetësi ka të bëjë me pritjen e gjatë për të përzgjedhur pasardhësin e Niko Rosbergut, që do të jetë në krah të Ljuis Hamiltonit në kampionatin e ardhshëm botëror të Formula 1. Volf, mësohet se, i ka dërguar një e-mail punonjësve të skuadrës që të ruajnë qetësinë dhe të jenë të bashkuar, fjalë që tregojnë gjendjen aspak normale në ekipin gjerman, kampion të botës. “Ka debate plot pasion nga tifozët dhe mediat, por ne duhet të jemi të qetë dhe të shohim punën tonë”, – ka shkruar ail. Rosberg shkaktoi një të papritur shumë të madhe kur la sportin 5 ditë pasi doli kampion i botës, duke e zënë në befasi Mercedesin. Besohet se Valeri Botas është favorit për të qenë në timon, por janë përmendur edhe Fernando Alonso e Paskal Verlajn. Mercedesi mund ta publikojë emrin vetëm në fund të janarit, dhe duket se vetë drejtuesit e skuadrës ende nuk e kanë ndarë mendjen se cilin pilot të zgjedhin.
Sfidanti.al