Mercedesi me besim tek “shpirti i lirë”, Ljuis Hamilton

Ljuis Hamilton nuk është një nga njerëzit më të parashikueshëm në botë. Këtë e di mirë edhe shefi i Mercedesit, Toto Volf, ndonëse gjermani paraqet një fytyrë të qetë në prag të paqartësisë. Kampioni i Botës në Formula 1 ka edhe vetëm 1 vit kontratë me skuadrën e tij, dhe ende nuk dihet se çfarë do të bëjë në të ardhmen. Padyshim, nuk pritet që anglezi 32-vjeçar t’i japë fund karrierës, por ku i dihet, edhe mund të ndryshojë skuadër nëse mendja ia thotë ashtu. Një Ferrari apo një Meklaren i ringjallur mund të ishin tepër interesante për një “aventurier” të sportit.

“Unë mendoj se Ljuisi është një shpirt i lirë, – thotë Volf, – ai nuk është nga ata që kanë dëshirë t’u thuhet “duhet të sillesh kështu, dhe jo ashtu”. Një nga gjërat kryesore për të është që të jetë i lirë, dhe që të vendosë ai vetë se çfarë duhet të bëjë. Kur ndodh kjo, ai ka më pak presion mbi veten. Pas një viti, apo dy vjetësh apo tre vjetësh, ai mund të jetë diku tjetër, dhe këtë unë e kam shumë të qartë, por jam i bindur se nuk do të largohet prej nesh, nuk do të thotë “lamtumirë” në momentin e fundit”. Në një farë mënyrë, Volf pati një kritikë për Rosbergun që braktisi sportin sapo doli kampion i botës në 2016.

Sfidanti.al