Ai ka gjetur një tjetër mënyrë për të bërë paratë, ndonëse më modeste sesa kur shkëlqente në ring. Flojd Mejuedhër i Riu ka hedhur poshtë aludimet se ai mund të kthehet në ring për herë të tretë, pas tërheqjes së dytë nga profesioni. “Unë jam një pensionist i lumtur, – tha ai, ndërsa viziton Kinën, – nuk kam ndërmend të ndeshem më në jetën time, pavarësisht nga shpërblimi”.
Amerikani 40-vjeçar, me rekordin 50 fitore e 0 humbje në karrierë, shtoi se “lajmet për rikthimin tim janë të gënjeshtërta”, ndërsa sqaroi se nga Kina iu dhanë gati 3 milionë dollarë që të vizitonte Murin e Madh kinez. “Nuk më ka bërë dëm që udhëtova në njërën prej mrekullive të botës duke marrë 3 milionë dollarë”, – bëri shaka në rrjetet sociale Mejuedhër.
Kinezët, në kontratën e nënshkruar me amerikanin, kishin si kusht që ai të bënte një takim me tifozët e tij në Pekin. Kjo ndodhi, dhe pesë herë kampioni i botës dha një intervistë për mediat, përpara sesa t’u përgjigjej pyetjeve të tifozëve të tij kinezë.
Sfidanti.al