Medvedev, “zot në Shangai”, tenisti rus synon titujt Grand Slem!

Nuk ka fituar ende asnjë Grand Slem, por mund ta quajmë viti i tij. Danil Medvedev sërish nuk barazohet dot me Novak Gjokoviçin dhe Rafael Nadalin, dy herë triumfues në Çmimet e Mëdha, por është në rrugë të mbarë pas fitores në Shangai. Tenisti rus konfirmoi veten si sfiduesi më i madh i treshes së shkëlqyer Federer-Nadal-Gjokoviç, ndërsa dominoi finalen e turneut Masters në qytetin më të madh të Kinës.

Medvedevi 23-vjeçar kaloi pa probleme gjermanin, gjithashtu me origjinë ruse Aleksandër Zverev, duke e mundur 2-0 me sete, me shifrat 6-4- e 6-1. Iu deshën vetëm 73 minuta për të kaluar një rival që e kishte mposhtur katër herë radhazi deri para Shangait. Ky ishte titulli i  katërt këtë vit për rusin, që arriti 6 finale në 2019, më shumë se çdo tenist tjetër.

Ai ende nuk është pranë rekordit të Novak Gjokoviçit, por mund të kalojë Federerin dhe Nadalin nëse vazhdon kështu. Medvedev, finalist në Grand Slemin US Open në Nju Jork, e ka rritur në mënyrë të jashtëzakonshme nivelin e tij këtë vit, duke arritur të tregojë gjithë potencialin që të gjithë e prisnin. Nuk besohet të jetë e largët dita, kur ai të synojë titujt më të rëndësishëm dhe vendin e parë në renditjen botërore.

Sfidanti.al