Mbrëmja e “Mjekrës”, Xhejms Harden vendos një rekord të ri në NBA!

Me një formë të tillë me gjasë mund ta fitojë një titull. Triumfi në NBA është ëndrra e vjetër e Xhejms Hardenit dhe basketbollisti 31-vjeçar ka gjetur edhe frymëzimin, por edhe ekipin për t’ia dalë. Si një rikujtim për klasin e tij, ylli i sotëm i Bruklinit realizoi diçka që nuk ishte parë ndonjëherë në kampionat, të paktën që nga viti 1977 kur nisën të mbahen statistikat.  Ai arriti një tripëll dabëll dhe njëkohësisht nuk humbi asnjë top në fitoren në fushën e San Antonios.

Shënoi 30 pikë, kapi 15 topa në tabela, shërbeu 14 pasime për kosh dhe nuk e humbi kurrë sferën, përveçse ia vodhi dy herë topin kundërshtarëve. Askush përpara tij nuk e kishte bërë një gjë të tillë. Paraqitja e madhe e të mbiquajturit “Mjekra” u shoqërua me suksesin e rëndësishëm 124-113, e para fitore e Bruklinit në Arenën e San Antonios që nga viti 2002. U deshën gati 20 vjet.

Në krah të tij ishte pjesëtari tjetër i “dyshes së mrekullive”, Kajri Irving. Ish-shoku i ekipit i Lebron Xhejmsit, shënoi 27 pikë, kapi 6 topa në tabela e shërbeu 7 asistë Bruklinit vazhdojnë t’i mungojnë 5 basketbollistë, mes të cilëve ai që mund të cilësohet si ylli kryesor i skuadrës, Kevin Durant, ende i dëmtuar.

Fakti që ekipi nga Nju Jorku po vazhdon të fitojë edhe pa Durantin, nuk është ogur i mirë për rivalët, ndërsa Harden me shokë po lenë prapa një fillim të vështirë duke hyrë plotësisht në shina. Tashmë, Konferenca Lindore është kthyer në një arenë tepër interesante, ku tre skuadra konkurrojnë për vendin e parë. Bruklin ka 23 fitore e 13 humbje, thuajse po aq sa Bruklini, ndërsa Filadelfia është në vend të parë me një humbje më pak.

Sfidanti.al