Bylisi “pa frena” në merkato, zyrtarizon edhe një mbrojtës

Bylisi nuk ndalet në merkato. Pas prezantimit të një portieri dhe një sulmuesit, klubi mallakastriot prezanton edhe një afrim në mbrojtje. Mbrojtësi nga Maqedonia e Veriut, Dime Dimov është zyrtarisht nëj lojtar i Bylisit. 31-vjeçari është një lojtar me eksperiencë dhe së fundmi është aktivizuar në Indonezi. “Dime Dimov, mbrojtësi shtatlartë nga Maqedonia e Veriut, eksperienca e të cilit është formuar në klube të njohura të shtetit të tij, por edhe në Bullgari e së fundmi në Indonezi. Vlen të theksohet se ka qenë titullarë në çdo klub ku ka luajtur”, shkruhet në njoftimin e klubit.

Ndërkohë, mallkastriotët plotësuan edhe boshllëkun e krijuar në portë pas dëmtimit të Ion Kristian Gurau dhe zyrtarizojnë portierin e kombëtares së Letonisë. Bylisi është përforcuar edhe në sulm, pasi kanë firmosur me Jacques Fokam, që së fundmi ka luajtur në elitën e futbollit çek.

“Portieri i Kombëtares së Letonisë, 30-vjeçari Robert Ozols, me eksperiencë në disa klube të njohura në shtetin e tij si: Riga, Daugava, Liepaja dhe Auda si dhe në Uzbekistan. Ozols pritet që të jetë një pikë e fortë në katërkëndorin e portës së skuadrës sonë”, shkruhet në njoftimin e klubit mallakastriot.

“Jacques Fokam, sulmues 24-vjeçar i cili vjen si përforcim në repartin ofensiv të skuadrës sonë. Fokam pritet që të rrisë cilësinë dhe konkurrencën me eksperiencën e tij, ku së fundmi ka luajtur në Superligën e Çekisë, me Dukla Pragën, por nuk mungojnë edhe eksperiencat e tjera në Danimarkë dhe USA”, shkruhet në njoftimin e klubit.