Maks Verstapeni thyen rekordin e fitoreve në një sezon

Është vërtet një “holandez fluturues”, një Johan Krujf i Formula 1 në kohët moderne. Maks Verstapeni padyshim që e ka të merituar titullin e kampionit të rruzullit, ndërsa në Çmimin e Madh të Meksikës arriti fitoren e 14-të të sezonit, duke vendosur një rekord të ri botëror. Jo vetëm kaq, por piloti i Red Bullit ka mundësi edhe për 2 fitore të tjera, pra mund të arrijë në 16-të suksese. Rekordin e mëparshëm e mbante Mikael Shumaheri me 13 fitore, barazuar nga Feteli. Shumaher, Fetel dhe Hamilton kanë serinë tjetër të madhe me nga 11 fitore në sezon.

Kampioni i botës la pas 15 sekonda ish-rivalin e tij të madh, Ljuis Hamilton, që tregoi se është në gjendje të luftojë për podiumin, pse jo edhe për fitoren, nëse ka një makinë për të qenë. Shtatë herë kampioni i botës ishte një nga dy pilotët e ditës, bashkë me Verstapenin, ndërsa e qortoi skuadrën e tij të Mercedesit. “Jua kisha thënë që më parë se gomat e mesme nuk janë më të mirat për ne”, – u shpreh 37-vjeçari.

Sfidanti.al