Futbollisti më i mirë në botë në sallat e mbyllura të futbollit, “magjistari” i topit, Rikardinjo, do të shkojë, në dhjetor, në përbërje të ekipit përfaqësues të Portugalisë, në Shkup, ku do të marrë pjesë në një turne minifutbolli me pjesëmarrjen e tre vendeve, Maqedonisë, Portugalisë dhe Kroacisë.
“Unë, si drejtor i ekipit përfaqësues, arrita që, përmes miqësive të vjetra që kam me trajnerët dhe menaxherët të disa ekipeve përfaqësuese të niveleve të lartë, të rregulloj organizimin e disa turneve dhe ndeshjeve miqësore. Kështu që po e ndaj me juve lajmin ekskluziv se dashamirësit e futbollit, në përgjithësi, por, sidomos, ata të futbollit në salla të mbyllura, në veçanti, do të kenë mundësinë që të shohin futbollistin më të mirë, sot për sot, në botë, portugezin Rikardinjo, në dhjetor të këtij viti, në arenën VIP të Shkupit”, deklaroi, ditët e fundit, drejtori i përfaqësueses maqedonase të futbollit në sallë, Vasko Skenderovski.