Lejkërsat mbeten në garë me “Kullat Binjake” Lebron-Dejvis

Nuk duan të dorëzohen në luftën për plej ofin, edhe pse nuk do të ishin plotësisht të përjashtuar. Los Anxhelos Lejkërsat duan që të hyjnë direkt në fazën me eleminim që luhet për titullin në NBA, dhe jo që të kalojnë nëpërmjet “purgatorit” plej in, dhe të paktën e arritën fitoren për të cilën kishin nevojë. Në fushën e Indianës, ata u ndihmuan nga Lebron Xhejms dhe Entoni Dejvis, që ishin që të dy në dyshim për të luajtur, por që shtrënguan dhëmbët për të shtyrë përpara ekipin. Fitorja ishte 122-115 dhe tregoi se Lejkërsat janë ekip tepër i rrezikshëm kur janë të plotë.

Lebroni e Dejvisi nuk janë fiks “Kulla Binjake”, siç quheshin dikur Dejvid Robinson e Tim Dankën tek San Antonio Spërsat, por gjithsesi janë shtylla të vërteta të kalifornianëve. Xhejmsi shënoi 24 pikë, kapi 7 topa në tabela e shërbeu 8 asistë, një nivel shumë i mirë për një basketbollist që sapo është kthyer nga dëmtimi. Dejvis shtoi 28 pikë, 10 topa në tabela, 5 asistë dhe 2 vjedhje topi, ndërsa mirë u paraqitën Denis Shrëder (14 pikë), Kalduell-Poup (13 pikë), Dramond (11 pikë, 15 topa në tabela) dhe Horton-Taker (11 pikë). Për Indianën nuk luajti lojtari më i mirë, Domantas Sabonis i dëmtuar. Lejkërsat janë në vendin e 7-të në Konferencën Perëndimore, me bilanc të njëjtë me Portlendin, 41 fitore e 30 humbje, ndërsa dy ekipet kanë edhe nga një ndeshje. Në rast barazimi me fitore, Portlendi kualifikohet sepse ka bilanc më të mirë në ndeshjet direkte.

Sfidanti.al