Humbjet në fazën përgatitore nuk paskan qenë rastësi. Los Anxhelos Lejkërs e nisi me disfatë edhe sezonin e ri të NBA-së, mundur në “Stejpëll Sentër” nga Golden Stejt Uorriors. Lebron Xhejms u përball me rivalin e tij të vjetër, Stefën Kërri që arriti tripëll dabëllin e parë që nga 2016-ta, por më e rëndësishmja, fitoi ndeshjen 121-114. Lebron Xhejms shënoi 34 pikë për Lejkërsat, kapi 11 topa në tabela dhe shërbeu 5 asistë, duke mos qenë edhe aq keq në gjuajtje (rreth 60 për qind). Entoni Dejvis realizoi 33 pikë me realizim shumë të mirë (15-26 në gjuajtje), duke kapur edhe 11 topa në tabela. Gjithsesi, kalifornianët nuk e patën në formë Rasëll Uestbrukun që shënoi vetëm 8 pikë, e po ashtu shënuan pak edhe të tjerët.
Kërri shënoi 21 pikë për Golden Stejtin, kapi 10 topa në tabela dhe shërbeu 10 asistë, pati 3 vjedhje topi, por edhe e humbi vetë topin 4 herë. Një ndihmë e madhe në mbrojtje, dhe në organizimin e lojës, ish-kampioni i trefishtë i NBA-së gaboi shumë në gjuajtje, duke pasur vetëm 25 për qind realizim nga loja. Gjithsesi, Golden Stejti u mbështet tek loja kolektive, edhe pse nuk e pati sërish kapitenin Klej Tompson që nuk është kthyer siç duhet nga dëmtimi, po ashtu edhe lojtarin e ri Xhejms Uajsmen. Xhordan Pul shënoi 20 pikë, Bjelica e Li nga 15 pikë, Uigins shtoi 12 pikë, ndërsa realizuan pikë edhe Grin, Lunej, Toskano-Anderson apo Porter Xhunior.
Sfidanti.al