Trajneri i “djajve të kuq” ishte në qiellin e shtatë pas një fitoreje tepër të rëndësishme kur ekipi i tij dhe ai vetë ishin me shpatulla pas murit. Mançester Junajtidi fitoi me përmbysje ndaj Atalantës së fortë në ndeshjen e grupit në Champions dhe “Old Trafordi” oshëtiu nga rreth 73 000 tifozët që ishin në të. “Ne luajtëm mirë edhe në pjesën e parë, – tha Solskjeri, – ndoëse e humbëm 0-2. Ata patën 2 raste, shënuan dy gola, por reaguam fort. Duhet t’i respektojmë lojtarët. Ronaldo është i madh para portës, ata që e kritikojnë le të shikojnë sesa vrapoi ai këtë herë. U thashë lojtarëve në pushim se nëse shënojmë shpejt, do ta fitonim ndeshjen”.
Gjithsesi, ish-ylli i mesfushës i Mançester Junajtidit, Pol Skouls, nuk u bind aspak nga ajo që i panë sytë. “Pjesa e parë ishte aq e dobët saqë ia heq vlerën edhe së dytës, – u shpreh ai, – nëse ata do të kishin pasur përballë një skuadër më të fortë, nuk do t’ia kishin dalë. A mund të fitohet kështu me Liverpulin? Kurrë! Me Mançester Sitin? Në asnjë mënyrë”. Në të vërtetë, Junajtidi do të testohet të dielën pasi pret Liverpulin në “Old Traford” për Premier Ligën.
Sfidanti.al