Lejkërsat fitojnë, por shqetësohen për gjurin e Lebronit!

Superylli nuk po mundet ta ndihmojë ekipin në këto momente, dhe të paktën në Los Anxhelos mund të thonë se patën fat që u kthye Entoni Dejvis. Lojtari qendër udhëhoqi Lejkërsat në fitoren e vështirë 99-94 ndaj Portlendit, edhe pse u luajt në Kaliforni, duke shënuar 30 pikë e duke kapur 15 topa në tabela, ndërsa Rasëll Uestbruk nuk e realizoi dot tripëll dabëllin për faktin se nuk … shënoi shumë pikë. Ai pati vetëm 9 pikë, 10 topa në tabela e 13 asistë.

Gjithsesi, shqetësimi kryesor në LA është Lebron Xhejmsi, i cili humbi ndeshjen e katërt radhazi për shkak dëmtimi në gju. Sipas mediave amerikane, legjenda e koshit mund të humbasë edhe ndeshje të tjera. Lebroni është në formë të madhe me mesatare 29.1 pikë për ndeshje, 7.7 topa në tabela e 6.1 asistë, por mungesat e shpeshta dhe mosha e vjetër e Lejkërsave kanë bërë që ekipi të rrezikojë edhe plej ofin, duke qenë në vend të 9-të në Perëndim me 25 fitore e 27 humbje.

Sfidanti.al