Duhet theksuar se fitorja u bë më e lehtë nga fakti se kundërshtarët nuk patën dy prej yjeve kryesorë, Kevin Durantin dhe Kajri Irvingun, por megjithatë mbrëmja ishte një festë. Los Anxhelos Lejkërsat fituan në shtëpi ndaj Bruklinit me shifrat 106-96, ndërsa Lebron Xhejmsi shkëlqeu edhe një herë, pikërisht në ditën kur u kthye në parket Entoni Dejvisi. Basketbollisti qendër pati një ndeshje të qetë, me vetëm 8 pikë në rreth 25 minuta, por gjithsesi ishte i rëndësishëm edhe moralisht. Lebroni shënoi 33 pikë, pati 7 topa në tabela, 6 asistë, 3 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh, pra bëri gjithçka. Për Netsat, shkëlqeu Xhejms Hardeni që luajti ndoshta edhe më mirë sesa Xhejmsi, me 33 pikë, 12 topa në tabela e 11 asistë, pra një tripëll dabëll, me 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje, ndonëse e humbi topin 6 herë. Lejkërsat janë ende poshtë, në vend të 8-të në Perëndim me 24 fitore e 24 humbje, ndërsa Bruklini ka zbritur në vend të tretë në Lindje me 29 fitore e 18 humbje.
Sfidanti.al