Lebroni udhëheq Lejkërsat në tjetër fitore, “Mbreti” synon sërish titujt!

Fillimi i sezonit është shumë i mirë, por prova ishte tepër e fortë. Los Anxhelos Lejkërsat u detyruan të lodheshin deri në fund për të ndaluar një kundërshtar me energji e talent si Çikago. Lebron Xhejms ishte sërish më i miri për vendasit në fitoren e siguruar në sekondat përmbyllëse të sfidës në “Stejpëlls Sentër” me shifrat 117-115.

Lebroni shënoi 28 pikë në rreth 34 minuta në parket, ndërsa pati edhe 7 topa në tabela e 7 asistë. Mediat sportive amerikane po shkruajnë se 36-vjeçari i ka të gjitha mundësitë të luftojë për titullin e basketbollistit më të mirë të vitit, ndonëse rivalët nuk mungojnë. Përkundrazi, Lebroni këtë sezon është ende prapa Jokiçit, Donçiçit, Antetokumbos apo Hardenit.

Lejkërsat përballuan mungesën e yllit tjetër të ekipit, Entoni Dejvisit, ndonëse u pa qartë se Xhejmsi e ka tepër të vështirë pa krahun e tij të djathtë. Lojtari më i mirë në fushë ishte i Çikagos, Zak Lavin që shënoi 38 pikë, pati 5 topa në tabela e 6 asistë. Me këtë sukses, Lejkërsat u ngjitën në vendin e parë në Konferencën Perëndimore të NBA-së, ndonëse sezoni duket shumë i ekuilibruar, ku pranë kampionëve janë Klipersat, Golden Stejti apo Dallasi.

Sfidanti.al