Lebroni u tregua kampion, por Bruklini duket i frikshëm në plej of!

Kampioni duket në momentet e vështira, dhe ai e tregoi veten pikërisht në këtë moment. Lebron Xhejms ishte një nga lojtarët më të mirë të Lejkërsave që fituan në fushën e Feniksit duke barazuar rezultatin e raundit të parë të plej ofit në 1-1. Përfundimi ishte 109-102 me “Liqenasit” që u detyruan të reagonin pasi vendasit ishin në epërsi dhe Lebroni udhëhoqi kampionët në fuqi duke shënuar 23 pikë, kapur 4 topa në tabela e shërbyer 9 asistë. Dejvis ishte edhe më mirë në shifra, ndonëse në udhëheqje ishte i pari Xhejmsit. Lojtari-qendër shënoi 34 pikë, kapi 10 topa në tabela, shërbeu 7 asistë, vodhi 1 top e bllokoi 3 gjuajtje.

Bruklini, megjithatë, duket skuadra më e frikshme. Njujorkezët me emrin Nets, i lodhën fare pak yjet e tyre dhe sërish arritën një fitore të thellë në shtëpi ndaj Bostonit. Kevin Duranti shënoi 26 pikë në 29 minuta në parket (plus 8 tabela e 5 asistë, 1 vjedhje topi e 4 bllokime gjuajtjesh), Xhejms Harden pati 20 pikë në 27 minuta, Kajri Irving shënoi 15 pikë në 28 minuta, Xho Harris 25 pikë në 29 minuta, Grifin realizoi 11 dhe Shemet 10. Suksesi ishte 130-108 dhe epërsia e Bruklinit është 2-0, ndërsa tashmë nuk ka lojtarë të dëmtuar, por që të gjithë të gatshëm për fazën vendimtare të sezonit.

Sfidanti.al