Lebron Xhejms, një tjetër ditë “në zyrë” për numrin 1 të basketbollit!

Lebron Xhejms u duk sikur kishte dy palë duar në ndeshjen e radhës në NBA ndaj Nju Jorkut. Një dorë e pati për të shënuar 18 pikë, një tjetër për të kapur 13 topa në tabela, një për  specialitetin e tij të asisteve duke dhënë 15, ndërsa dora e fundit i duhej për të realizuar 3 bllokime ndaj gjuajtjeve të kundërshtarëve. Klivlendi fitoi 119-104, veçse dominoi shumë më tepër sesa e tregon rezultati. Kajri Irving shënoi 23 pikë për kampionët dhe Kajl Korver shtoi 20 pikë duke qenë i saktë në gjashtë trepikësha.

Basketbollisti më i madh i botës u duk si “në një tjetër ditë në zyrë”, siç shkruajti me shaka një nga mediat amerikane, me kulmin që arriti në një moment kur ndoqi nga pas gjatë gjithë fushës lojtarin kundërshtar, Kërtni Li, duke i bërë një bllokim të gjuajtjes pikërisht në tabelë. Një nivel i tillë kaq dominues ishte faktori kryesor që Klivlendi fitoi titullin kampion verën e kaluar ndaj Golden Stejtit, duke u bërë e para skuadër në NBA që përmbys një rezultat 1-3 në finalen e madhe.

Li shënoi 25 pikë për Nju Jorkun dhe Karmelo Entoni 20, ndërsa Kristaps Porzingis, pikëshënuesi i dytë më i mirë i sezonit për njujorkezët, u dëmtua në pjesën e dytë.

Sfidanti.al