Klaudio Ranieri u kthye dje për herë të fundit nga zyra në shtëpinë e tij në Leiçester. Italiani, tashmë ish-trajner i kampiones së Anglisë, ndihej shumë keq, edhe pse në profesion është mësuar me gjithë të këqiat e “zanatit”. “Dje, ëndrra ime vdiq, – kishte shkruajtur ai pasi mori njoftimin për shkarkimin, – pas euforisë së sezonit të kaluar kur u shpallëm kampionë të Premier Ligës, ëndrra ime e vetme ishte të vazhdoja përherë tek Leiçesteri, klubi i zemrës sime. Për fat të keq, nuk ishte e thënë të ndodhte kështu. Unë e falenderoj Leiçesterin, aventura ishte një përrallë që do të jetojë gjithmonë me mua”.
Hapat e fundit në qytetin anglez dhe deklaratat e fundit ishin vetëm një pjesë e ditë së mbrame të Klaudio Ranierit. Ndërsa parkonte makinën e tij “4×4” Mercedes Benc, ai vuri re disa njerëz pranë shtëpisë së tij. Ishin tifozë të Leiçesterit. Njëri prej tyre i kishte sjellë një shishe verë si dhuratë, dikush tjetër kishte ardhur ta takonte për herë të fundit bashkë me djalin, një vajzë erdhi dhe e përqafoi, ndërsa të tjerë thjesht donin të bënin një foto bashkë me të.
Në krah të Klaudios, disi papritur, doli një njeri i profesionit. Zhoze Murinjo u pyet për shkarkimin e Ranierit, ndërsa fliste për gazetarët në prag të ndeshjeve të Premier Ligës këtë fundjavë. Pavarësisht se nuk kanë qenë kurrë miq, madje kanë qenë rivalë të hidhur, portugezi nuk ngurroi t’i dilte në krah.
“Kur më shkarkuan tek Çelsi ndërsa isha kampion, m’u duk si padrejtësia më e madhe, – tha Murinjo, – por ajo ishte diçka e papërfillshme me këtë që i ndodhi Klaudios. Ranieri meriton që stadiumi i Leiçesterit të marrë emrin e tij për atë që bëri, duke shkruar historinë më të bukur të Premier Ligës”. Në Instagram, Zhoze postoi një foto të tij me Ranierin, me përshkrimin “Kampioni i Anglisë dhe trajneri i vitit i FIFA-s u shkarkua, Ky është futbolli i ri, Klaudio. Ruaj buzëqeshjen “amico”, askush nuk mund ta fshijë historinë që ti shkrove”.
Sfidanti.al