I kujtoi mëtuesit më të ri se ende e mban kurorën. Lebron Xhejms nuk i la shanse Luka Donçiçit, ndërsa Lejkërsat dhe Dallasi u ndeshën në Los Anxhelos. i mbiquajturi “Mbreti i basketbollit” udhëhoqi ekipin e tij në fitoren e lehtë 129-114 në Arenën e famshme “Stejpëlls Sentër”, ku më parë kanë luajtur legjenda si Karim Abdyl Xhabar, Uilt Çembërlen, Mexhik Xhonson apo Kobi Brajant.
Shënoi 35 pikë, kapi 16 topa në tabela e shërbeu 7 asistë, ndërsa kaloi ish-idhullin e tij, Majkëll Xhordanin duke i thyer një rekord. Lebroni e la pas ish-kapitenin e Çikagos për numrin e përgjithshëm të gjuajtjeve nga loja në karrierë, duke pasur tani 12 197, pesë më shumë sesa Xhordani. Në këtë renditje, Xhejmsi synon të mbërrijë emra të jashtëzakonshëm si Çembërlenin, Karl Malounin dhe Xhabarin.
Përballë tij, Donçiç pati një mbrëmje dëshpëruese, dhe kuptoi se do t’i duhet më shumë përvojë dhe përgatitje për t’u matur me kundërshtarë të tillë. Natyrisht, ai luajti shumë mirë për moshën e tij 20-vjeçare, ndërsa është shumë i ri në krahasim me Lebronin 35 vjeçar. Ylli nga Sllovenia shënoi 25 pikë, 10 topa në tabela e shërbeu 7 asistë, duke qenë pranë tripëll dabëllit, ashtu si Xhejmsi, por gaboi mjaft në gjuajtje.
Të dyja skuadrave u munguan emra të rëndësishëm, Entoni Dejvis për Lejkërsat e Kristaps Porzingis për Dallasin, që të dy të dëmtuar, por dukets e Lebroni e pati më pak problem.
Sfidanti.al