Nuk ishte thjeshtë një humbje, por ishte thuajse një dorëzim. Klivlend Kavaliers u rrëzua brenda në Arenën e tij nga Indiana Pejsërs, me 18 pikë diferencë, duke humbur ndeshjen e parë të raundit të parë të plej ofit, 80-98. Ishte hera e parë në karrierë që Lebron Xhejms provoi këtë gjë, ndonëse superylli i NBA-së largoi çdo dyshim.
“Jam gjendur edhe më parë në situata të tilla, – tha ai, – para dy vitesh ishim 1-3 në humbje në finalen e NBA-së dhe dolëm kampionë”. Kjo ngjan me fjalët e Kobi Brajantit, pasi Los Anxhelos Lejkërsat humbën 3 ndeshje radhazi disa vjet më parë. “Tri humbje radhazi, por edhe tri tituj të fituar radhazi”, – ishte përgjigja krenare e tij.
Sidoqoftë, Klivlendi pritet ta ketë vështirë, pasi një pjesë e mirë e lojtarëve nuk kanë përvojë plej ofi, pavarësisht se Xhejms mbetet në formë shumë të mirë, duke shënuar 24 pikë, kapur 10 topa në tabela e shërbyer 12 asistë (tripëll dabëll).
Indiana mesa duket ishte nënvleftësuar deri tani. Gjatë sezonit të rregullt mundi Golden Stejtin jashtë e brenda, mundi Boston Sëlltiksin, mundi brenda e jashtë San Antonion, dhe i shkaktoi 3 humbje Klivlendit. Me lojtarë shumë të mirë si Oladipo, Bogdanoviç, Stefenson apo Tërner, skuadra është e fortë dhe ambicioze.
Sfidanti.al