Lebron rifillon vitin e mbrapshtë 2020, me objektiv fitimin e titullit!

Ambicia e tij është kthyer në fiksim, duhet të bëjë gjithçka për të shtuar “unazat” në koleksionin personal sa nuk është vonë. Lebron Xhejms i ka kaluar të 35-at dhe mosha do të bëjë të vetën, tani ose më pas, ndaj edhe i mbiquajturi “Mbreti i basketbolli” ndodhet në Floridë vetëm me një synim: Të shpallet kampion i NBA-së me Los Anxhelos Lejkërsat. Ai ka 3 tituj, ndërsa rivali i tij i madh, Majkëll Xhordan, arriti 6 në karrierën e tij, pra Xhejmsi duhet të nxitojë.

“Unë do ta quaj këtë vitin 2020, – thotë ai, – asgjë nuk është normale në 2020”. Normaliteti është vetëm që Lebroni ndodhet sërish në të njëjtin mision, atë për të triumfuar në fund. Me gjasë, Lejkërsat do të dalin të parët në Konferencën Perëndimore, ndërsa të gjitha ndeshjet e mbetura do të luhen në Floridë. Në krahun tjetër, besohet se do të jetë në krye Miluoki i Janis Antetokumbos. Edhe çmimi i Lojtarit të Vitit do të diskutohet mes Antetokumbos e Lebronit. Xhejms është i lumtur që ai provoi veten edhe në Konferencën Perëndimore, ndërsa më parë ishte dominues në Lindje.

Sfidanti.al